Vitia rihap bibliotekat publike, por me disa kushte shkaku i COVID-19
Komuna e Vitisë, konkretisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka rihapur sot bibliotekën e rriturve dhe të fëmijëve për lexuesit Vitias. Bibliotekat publike brenda shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, ishin mbyllur si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19.
Megjithatë rihapja e bibliotekës është bërë me disa kushte e ndër to është vetëm marrja dhe kthimi i librave por jo edhe shfrytëzimi i hapësirave për lexim brenda bibliotekave.
Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, ka bërë të ditur se bibliotekat publike të komunës në qytetin e Vitisë, janë rihapur në koordinim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Por ai shtoj se për shkak të pandemisë duhet të zbatohen disa kushte dhe kjo është në të mirën e shëndetit publik.
“Bibliotekat publike në qytetin e Vitisë janë rihapur nga sot për lexuesit vitias dhe atë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Megjithatë dua të njoftoj lexuesit se në sektorin e të rriturve dhe të fëmijëve mund të bëhet vetëm marrja dhe kthimi i librave, por fatkeqësisht nuk mund të shfrytëzohen hapësirat për lexim. Kjo si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19 dhe në interes të shëndetit publik”, u shpreh drejtori Lala.
Ai tha se kusht tjetër është që lexuesit të cilët marrin libra të jenë me masa mbrojtëse si dorëza dhe maska dhe kërkoj nga ta që të mos grumbullohen, por të vijnë vetëm ata që marrin dhe kthejnë libra për lexim.
Gjithashtu të dy bibliotekat do të punojnë me gjysmë orar nga e hëna deri të premten dhe atë prej orës 08:00 deri 12:00. Bëhet me dije se kjo gjë do të vlej deri në një vendim tjetër që do të merret në koordinim me institucionet përgjegjëse./InfoKomuna/