130 mijë euro të grantit destinohen për shtratin e lumit Llap

PodujevëPostuar: 12:46 / 19.05.2018

Komunarët e Podujevës do t’i shpenzojnë 136 mijë eurot e përfituara nga projekti i “DEMOS”-it në ndërtimin e shtratit të lumit Llap dhe në hapësira të gjelbra. Këto mjete Komuna i ka përfituar nga granti i performancës.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka pritur në një takim menaxherin e projektit të “DEMOS”-it, Prend Krasniqi, me të cilin kanë finalizuar marrëveshjen e bashkëpunimit të grantit të performancës.

Në takimin e nënkryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, me përfaqësuesin e “DEMOS“-it, e ku prezent ishte edhe drejtori i Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, u diskutua për rëndësinë e projekteve, të cilat janë planifikuar të realizohen në kuadër të këtij partneriteti”.

Nënkryetari Rudari ka thënë se në kuadër të kësaj marrëveshjeje të bashkëfinancimit me MAPL-në dhe “DEMOS”-in, "kemi planifikuar që një pjesë e granit të shkojë në vazhdimin e ndërtimit të shtratit të lumit Llap, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për rregullimin dhe gjelbërimin e hapësirave publike.

Ndërsa, përfaqësuesi i “DEMOS”-it, Prend Krasniqi, është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet komunale për realizim sa më të suksesshëm të projekteve të planifikuara me grantin e performancës.

Sipas Zyrës së informimit, Komuna e Podujevës është përfituese e këtij granti në vlerë prej 136,651 eurosh nga projekti i “DEMOS”-it, i cili është financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).