Administrata kërcënon me ndëshkim amvisëritë në Prizren që si paguajnë taksat
Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prizrenit, në pika të ndryshme, ka afishuar vërejtjet, me të cilat u ka bërë thirrje amvisërive që ta paguajnë taksën për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, shkruan sot Koha Ditore.
Një thirrje e tillë publike ka ardhur si pasojë e të hyrave të ulëta në këtë kategori buxhetore, ndërkohë që ky dikaster komunal ka paralajmëruar se mund të aplikohen edhe sanksione në përputhje me rregulloren.
Në vërejtjen e DSHP-së përkujtohet se si gjenerues të mbeturinave, taksa për mbeturina mbetet përgjegjësi e çdo amvisërie.
Komuna e Prizrenit nga fillimi i vitit 2015 ka marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave dhe arkëtimi i taksës për këtë shërbim ka nisur në muajin mars të vitit të kaluar. Por që prej asaj kohe përqindja e arkëtimit të taksës së mbeturinave nuk ka qenë i kënaqshëm.
Te taksa për menaxhimin e mbeturinave nga 1 milion e 860 mijë euro të planifikuara janë arkëtuar 487 mijë euro apo 26,21 për qind./KohaDitore/