Aktakuzë ndaj Svetisllav Ivanoviqit, kryetarit të komunës së Novobërdës
Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, kryetarit të Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq.
Sipas aktakuzës, më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i pandehuri si person zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja” i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, duke i shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 (dymbëdhjetëmijedyqind) euro.
“Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, raporton Koha.net.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta ndëshkojë me dënim meritor sipas Ligjit.
Kujtojmë se edhe më parë, marsin e vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Novobërdës ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 4 mijë e 500 euro gjobë për dy vepra penale të keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për veprën penale të konfliktit të interesit.