Klina shënon 17 Shkurtin - Ditën e Pavarësisë së Kosovës

KlinëPostuar: 14:43 / 17.02.2024

Në sallën e kuvendit të komunës së Klinës, sot është mbajtur seancë solemne për shënimin e 16 vjetorit të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, kryesuesi i kuvendit, Fadil Gashi,  mixha Halil Krasniqi, babai komandantit Mujë Krasniqi, komandant i Policisë, Ragip Bytyqi, drejtorë të drejtorive, anëtarë të kuvendit komunal, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, veteranë të luftës, familjarë të dëshmorëve, qytetarë të shumët dhe media.

Kryesuesi Gashi hapi seancën solemne me një fjalim para të pranishmëve. Ai theksoi se qytetarët kanë nevojë jetike që ne të jemi ata që do të ndihmojmë në ndërtimin e mirëqenës së gjithmbarshme, prandaj zotimi ynë duhet të jetë puna për institucione të përgjegjshme, administratë efikase dhe transparente dhe mbizotërim i ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Po e shënojmë sot 16 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës me synimin tonë të përbashkët të shtet ndërtimit të mëtutjeshëm të institucioneve legjitime. Historia moderne e Kosovës ka rrugëtuar nëpër periudha shumë të rëndësishme, gjithnjë e involvuar në proceset e rajonit dhe të Evropës. Qytetarët tanë tashmë kanë nevojë jetike që ne të jemi ata që do të ndihmojmë në ndërtimin e mirëqenës së gjithmbarshme, prandaj zotimi ynë duhet të jetë puna për institucione të përgjegjshme, administratë efikase dhe transparente dhe mbizotërim i ligjeve të Republikës së Kosovës” tha në fjalën e tij kryesuesi Gashi.

Edhe kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, uroi të pranishmit për Përvejtorin e Pavarësisë.
“Sot, derisa shënojmë ngjarjen më kulmore në rrugën historike të Republikës së Kosovës – Pavarësinë e saj, ndihemi shumë të përgjegjshëm ndaj historisë, ndaj asaj sakrifice të gjeneratave, ndaj gjithë atij gjaku dhe gjithë asaj lufte nëpër shekuj deri te lufta më sublime dhe më e lavdishme e UÇK-së, luftë kjo që i ndryshoi rrjedhat  historike të këtij vendi.   
Historia e popullit shqiptar, sa e dhimbshme aq edhe e lavdishme e krenare, na obligon që ne t`i kujtojmë me respekt e mirënjohje kontributin, angazhimin e sakrificën e dëshmorëve të kombit, djemve e vajzave tuaja të cilët më shumë se jetën e tyre e deshën lirinë tonë, lirinë e brezave të ardhshëm, të kemi respekt për plagët e luftëtarëve tanë, për të pagjeturit dhe për të gjithë ata që vunë kontributin e tyre në themelin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.
Ky përvjetor na rikthen kujtesën për të kaluarën tonë, se si jetuam dje e si po jetojmë sot. 16 vjet pas Pavarësisë vendi ynë ka bërë shumë hapa para, shumë punë e projekte të rëndësishme janë përmbushur. Të gjitha të arriturat që  i kemi realizuar, si dhe shumë të tjera që pritet të realizohen,  nuk duhet të na krijojnë ndonjë vetëkënaqësi, sepse janë edhe mbeten nevoja të tjera të shumta dhe të nevojshme për mirëqenien e qytetarëve, të cilat duhet t’i realizojmë në të ardhmen.  Ne mbesim të përkushtuar që vepra e pavarësisë t’u shërbejë të gjithë atyre që e ndërtuan dhe gjithë atyre që presin t’ua ndryshojë jetën.
Urime përvjetori i 16 i Pavarësisë!
Lavdi të gjithë atyre që jetën e dhanë për këtë ditë që po e shënojmë sot!” – shtoi kryetari Elezaj.