Komuna e Junikut nënshkruan marrëveshje binjakëzimi me komunën Nuthe Urstromtal- Gjermani
Pas një vizite të suksesshme tre-ditore nga delegacioni gjerman, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, dhe kryetari i Komunës Nuthe Urstromtal, Stefan Scheddin, kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen e binjakëzimit mes dy komunave.
Pjesë e kësaj vizite ishin edhe Jovita Galster-Döring, kryetarja e këshillit të komunës, Hartmut Schroder, koordinatorë për zhvillim politik dhe komunal, Sascha Schmidt, Inxhinier për infrastrukturë, Mustaf Abazi, kryetar i rrjetit të bizneseve për Gjermani, Fatos Xhafolli, nënkryetar i rrjetit të bizneseve, Burim Mehmeti, kryetar i rrjetit të bizneseve për Brandenburg.
Së bashku kanë vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare, Stacionin Policor, Shkollën fillore “Edmond Hoxha”, Gjimnazin “Kuvendi i Junikut”, Stacionin e zjarrfikësve, bibliotekën e qytetit, bizneset Luna SH.P.K, Joos&Krasniqi Bazë, Vëllëzërit Zeqiri dhe Distilerinë “Vidasus”.
Vizitën e kanë përfunduar duke kaluar kohë në mes të natyrës së mahnitshme të Bjeshkëve të Junikut, duke u njohur me majën më të lartë të Kosovës - Gjeravicën.
Kjo marrëveshje e binjakëzimit është një arritje e bashkëpunimit të ngushtë dhe miqësisë mes dy komunave dhe shpresojmë që ky bashkëpunim do të sjellë shumë avantazhe për të dyja palët në të ardhmen.