Komuna e Rahovecit njofton se të shtunën punohet me orar të rregullt
Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Rahovecit, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me datë 24 mars dhe 31 mars, e shtunë, do të punohet me orar të rregullt nga ora 8:00 deri në ora 16:00.
Sipas këtij njoftimi kjo është bërë pasi që ka numër të madh të fermerëve për aplikim në subvencione që jepen nga MBPZhR-ja. “Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Rahovecit, duke e parë fluksin e madh të fermerëve gjatë ditëve të fundit dhe afatit të paraparë që është deri me 31.03.2018, për aplikim në subvencione që jepen nga MBPZhR-ja, njofton të gjithë fermerët e Komunës se dita e shtunë e datës 24 dhe 31 Mars, do të punohet me orar të rregullt nga ora 8:00 deri në ora 16:00. Andaj, fermer të nderuar mund të shfrytëzoni këtë mundësi të ofruar nga i gjithë stafi i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Komuna e Rahovecit është e përkushtuar që të jetë në shërbim të fermerëve dhe me këtë zotohet se nuk do të mbetet asnjë fermer pa e kryer fazën e aplikimit”, thuhet në njoftimin e plotë të komunës.