"Komunat mund të punësojnë staf të ri pa lejen e MF-së"

Postuar: 16:12 / 22.12.2017

Pas lobimit të AKK-së nuk do të ketë më kod pesë shifror për komunat, si dhe komunat vetë mund të vendosin për punësimin e stafit të ri.

Pas lobimit dhe aktiviteteve të Asociacionit të Komunave të Kosovës është arritur që në buxhetin e konsoliduar të Kosovës për vitin 2018 të ketë ndryshime të rëndësishme për autonominë financiare të Komunave të Kosovës, ndryshime këto të cilat do të mundësojnë rritjen efikasitetit në funksionimin e komunave sidomos në menaxhimin financiar dhe të personelit, transmeton InfoKomuna.

Përmes këtij lobimi është arritur të hiqet kërkesa për leje nga niveli qendror (përkatësisht Ministria e Financave) në rast të ndryshimit të destinimit të alokimeve të planifikuara nga një linjë buxhetore në tjetrën, të mos kërkohet më leje nga MF për ndryshim të destinimit të mjeteve të alokuara nëse këto ndryshime kalojnë 25% të shumës së alokuar.

Gjithashtu deri këtë vit Ministria e Financave (MF) dhe Ministria e Administratës Publike (MAP), kanë kontrolluar në mënyrë të rreptë numrin e të punësuarve në komuna, duke mos lejuar komunat të punësojnë staf të ri pa pëlqimin e këtyre dy ministrive edhe në rastet kur komunat kanë buxhet dhe vende të lira pune.

Me ndryshimet e kërkuara nga komunat përmes AKK-së kjo nuk do të ndodhë në vitet në vijim, që do të thotë se në rastet kur në komuna do të ketë vende të lira pune përbrenda numrit të paraparë të punësuarve e të cilat sipas MAP- it janë në përputhje me rregulloret e shërbimit civil, komuna mund të punësoj staf të ri pa kërkuar leje shtesë nga Ministria e Financave e që ishte praktikë deri më tani. /InfoKomuna/