Kryetari Lladrovci raportoi për punën një vjeçare

GllogocPostuar: 18:16 / 28.12.2023

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të enjten ka mbajtur tubimin e dytë me publikun, ku raportoi para qytetarëve punën njëvjeçare të vitit 2023.

Tubimi u mbajt në Sallën e Kuvendit dhe morën pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale, administratorë të vendbanimeve, OJQ, shoqëri civile, përfaqësues të KFOR-it, si dhe qytetarë.

Temë diskutimi e këtij tubimi me publikun, ishin aktivitetet e komunës të cilat janë kryer gjatë këtij viti.

Fillimisht, fjalë hyrëse pati Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, i cili tregoi rëndësinë e këtij takimi duke shtuar se, tubimi me publikun ka karakterin informues për pjesëmarrësit mbi të arriturat dhe vështirësitë si dhe investimet kapitale të realizuara gjatë këtij viti.

Ndërsa sa i përket punës një vjeçare, ka prezantuar kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe njëherësh falënderoi administratorët e vendbanimeve për bashkëpunimin me ekzekutivin për t’ju dal në ndihmë qytetarëve, projekteve të nivelit qendror e lokal, me propozimet, vërejtjet dhe sugjerimet gjatë tërë vitit.

“Ky vit, po përmbyllet me suksese. Këto suksese presim të konfirmojnë edhe zyrtarisht se jemi prap edhe për vitin 2022, komuna më e mirë me performancë në nivel të vendit, ka thënë mes tjerash kryetari Lladrovci.

Lladrovci, në mënyrë të detajuar paraqiti të arriturat, vështirësitë, aktivitetet si dhe projektet e realizuara nga drejtoritë komunale gjatë këtij viti.

Të pranishmit i parashtruan pyetje dhe sugjerime ekzekutivit për punën një vjeçare, ndërsa kryetari Lladrovci i falënderoi për sugjerimet e dhëna si dhe u dha përgjigje të gjithë atyre që adresuan pyetje rreth projekteve të përfunduara gjatë këtij viti, por edhe projekteve në të ardhmen.

Ne shenjë mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e madh në shërbim të qytetarëve gjatë pandemisë, Covid 19, kryetari Lladrovci ka ndarë mirënjohje për 44 administratorë të vendbanimeve në Komunën e Drenasit.

Për fund, kryetari Lladrovci uroi të pranishmit si dhe të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit, festat e fundvitit, duke ju dëshiruar gjithë të mirat në jetë.