Kryetari Xheladini vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe një pjesë të Kabinetit, vizitoi sot QKMF-në në Dragash, me rastin e pranim - dorëzimit të detyrës së drejtorit të kësaj Qendre nga drejtori i deritanishëm, Ramadan Jashari, te Ushtruesi i i Detyrës së Drejtorit, Endrit Piraj.
Ky kalim i detyrës vjen pas dorëheqjes së drejtorit të deritashëm të QKMF-së në Dragash, Ramadan Jashari, i cili ka vendosur që pas kontributit disavjeçar si udhëheqës i këtij institucioni, t'i kthehet ushtrimit të profesionit si Specialist i Mjekësisë Familjare në këtë Qendër.
Kryetari Xheladini, ka falënderuar Ramadan Jasharin për kontributin dhe ka vlerësuar punën dhe angazhimin e tij në pozitën e drejtorit të QKMF-së në Dragash, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese në profesionin e tij si mjek specialist.
Njëherit, Kryetari Xheladini uroi edhe Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit, Endrit Piraj, për këtë pozitë dhe kërkoi që këtë detyrë ta marrë me përgjegjësi dhe përkushtim, duke punuar maksimalisht për ta ngritur edhe më shumë cilësinë e punës dhe shërbimeve për qytetarët në institucionin më të madh shëndetësor në Komunën e Dragashit.