Mamusha kërkon qasje në autostradë, ministria refuzon kërkesën e tyre
MamushëPostuar: 12:00 / 20.12.2015
Komuna e Mamushës kërkon qasje në autostradën Ibrahim Rugova. Kjo më së shumti do tu konvenonte bizneseve, të cilat operojnë në këtë vend.
Nusret Kiliç është prodhues i dyerve dhe dritareve të plastikës dhe thotë se për të problem janë shpenzimet e mëdha për transport, raporton KTV.E drejtuesit e kësaj komune, së bashku me banorët, e kanë bërë gati rrugën prej 4.5 kilometra, që do tu mundësonte atyre qasjen në autostradë.
Kryetari i Komunës thotë se nga Ministria e Infrastrukturës nuk kërkojnë mjete financiare, por vetëm lejen që u mundëson qasjen. Sipas tij, kjo rrugë do të krijonte lehtësira për banorët e shumë fshatrave, jo vetëm të Komunës së Mamushës.
Ai shtoi se relacioni Prizren-Suharekë ka 22 kilometra deri në autostradë dhe nuk ka asnjë hyrje-dalje, përderisa në pjesën Suharekë-Malishevë ka hyrje-dalje çdo 7 kilometra, transmeton Koha.net.
E në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se Komunës së Mamushës nuk mund ti lejojnë lidhje në autostradë, pasi që ndërhyrje të tilla do ta dëmtonin funksionalitetin e saj.