Mamusha kërkon qasje në autostradë, ministria refuzon kërkesën e tyre

MamushëPostuar: 12:00 / 20.12.2015

Komuna e Mamushës kërkon qasje në autostradën “Ibrahim Rugova”. Kjo më së shumti do t’u konvenonte bizneseve, të cilat operojnë në këtë vend.

Nusret Kiliç është prodhues i dyerve dhe dritareve të plastikës dhe thotë se për të problem janë shpenzimet e mëdha për transport, raporton KTV.

 

E drejtuesit e kësaj komune, së bashku me banorët, e kanë bërë gati rrugën prej 4.5 kilometra, që do t’u mundësonte atyre qasjen në autostradë.

 

Kryetari i Komunës thotë se nga Ministria e Infrastrukturës nuk kërkojnë mjete financiare, por vetëm lejen që u mundëson qasjen. Sipas tij, kjo rrugë do të krijonte lehtësira për banorët e shumë fshatrave, jo vetëm të Komunës së Mamushës.

 

Ai shtoi se relacioni Prizren-Suharekë ka 22 kilometra deri në autostradë dhe nuk ka asnjë hyrje-dalje, përderisa në pjesën Suharekë-Malishevë ka hyrje-dalje çdo 7 kilometra, transmeton Koha.net.

 

E në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se Komunës së Mamushës nuk mund t’i lejojnë lidhje në autostradë, pasi që ndërhyrje të tilla do ta dëmtonin funksionalitetin e saj.