Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Gjakovës

GjakovëPostuar: 18:09 / 14.03.2024

Nën udhëheqjen e Kryesueses së Kuvendit të Komunës së Gjakovës, Arbënesha Kuqi, është mbajtur mbledhja e tretë për këtë vit e Komitetit për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës.

Fillimisht, u shqyrtua procesverbali i mbledhjes së fundit, të mbajtur më datë 12 shkurt 2024.

Më pas, Drejtori për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, ka prezantuar dy pikat e radhës të rendit të ditës:

-Raportin Final Financiar të Komunës së Gjakovës për vitin 2023 dhe
-Bartjen e mjeteve financiare të pashpenzuara nga vitet paraprake në vitin fiskal 2024.

Ndërkohë që ka dhënë informata duke u bazuar në ligjin për financa, ai është shprehur i lumtur që Komuna e Gjakovës vazhdon të ketë rritje financiare vit pas viti.

Ndërkaq, Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Haxhi Sejdiu, dha informatë lidhur me përgatitjet ndaj emergjencave në Komunën e Gjakovës.

Të gjitha pikat e rendit të ditës, janë votuar nga anëtarët e KPF-së, për diskutim të mëtejshëm në mbledhjen e Kuvendit të Komunës që do të mbahet këtë muaj.