Miratohet vendimi për themelimin e Zonës Industriale në Podujevë

PodujevëPostuar: 10:23 / 19.04.2024

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar propozim vendimi për themelimin e Zonës Industriale në Komunën e Podujevës.

Lidhur me këtë vendim, kryetari Bulliqi ka shkruar:

“Ky është njëri prej vendimeve më të rëndësishme pas çlirimit të komunës sonë; me vendimin e djeshëm është finalizuar puna disa vjeçare e shumë mekanizmave institucional që kanë punuar me përkushtim të lartë e të paepur për këtë ditë.

Zona Industriale është puna më e madhe që kemi bërë si qeverisje komunale për ta vendosur në binar të zhvillimit ekonomik komunën tonë. Ajo ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 298314m2 dhe brenda kësaj sipërfaqe janë të planifikuara 52 parcela me sipërfaqe te ndryshme.

Bizneset do të jenë të veprimtarive të ndryshme prodhuese si (industri ushqimore, industri ndërtimore, industri të tekstilit etj).

Qëllimet kryesore të zonës Industriale janë: krijimi i një ambienti fizik me infrastrukturë përcjellëse për bizneset vendore dhe ndërkombëtare; tërheqjen e investimeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve industriale ekzistuese, si dhe krijimi dhe ofrimi i mundësive të reja për qasje në tregun e punës.

URIME TË GJITHË QYTETARËVE TË KOMUNËS SË PODUJEVËS!
FALEMINDERIT TË GJITHËVE QË KANË KONTRIBUAR DHE MUNDËSUAR THEMELIMIN E ZONËS INDUSTRIALE! “