Mungesa e laurës në hekurudhë, shkaktare e vdekjes së tre personave
Mungesa e një laure në hekurudhën e fshatit Dush të Klinës ka bërë që tre persona të mbesin të vdekur në aksidentin që ka ndodhur pasditen e së hënës, kur është ndeshur treni me një veturë, raporton KTV.
Shehrije Muharremi, 54-vjeçare, Afërdita Bajraktari, 39-vjeçare, dhe Anisa Bajraktari, 7-vjeçare, që të tria nga Mitrovica, kanë humbur jetën në këtë aksident.
3 personat e tjerë të aksidentuar po trajtohen në QKUK.
Familjarët e viktimave janë thellë të pikëlluar, derisa thonë se për një barrierë rruge i humbën tri anëtaret e tyre. Arsyeja e aksidentit, sipas TrainKosit dhe InfraKosit, është se vetura nuk i ka respektuar rregullat e komunikacionit, ndërkaq ata thonë se nuk janë të obliguar sipas ligjit që të vendosin laura, përderisa treni ka qenë në shpejtësinë e duhur.
Përgjegjësinë për rastin, zyrtarë nga TrainKosi ia bartin komunës së Klinës, e cila, sipas tyre, nuk ka vendosur sinjalizim të mjaftueshëm.
Edhe zyrtarë nga Infrakosit thonë se sinjalizimi në këtë pjesë duhet të bëhet nga komuna e Klinës, dhe se, sipas tyre, deri tash për faj të tyre nuk ka ndodhur asnjë aksident.
Komuna e Klinës thotë se përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm njërës palë. Duke hedhur poshtë akuzat për mossinjalizim, thonë se ngasësit e veturave duhet të jenë më të kujdesshëm në raste të tilla, duke respektuar edhe shenjat paralajmëruese e jo vetëm ato ndaluese.
Banorët e fshatit Dush të Klinës thonë se ky nuk është rasti i vetëm me fatalitet dhe se çdo ditë iu rrezikohet jeta si pasojë e rrugës së papërshtatshme. /InfoKomuna/