Shënohet 62 vjetori i shkollës së mesme ekonomike "Faik Konica" në Ferizaj

FerizajPostuar: 14:35 / 15.03.2017

Të mërkurën në ambientet e shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” është shënuar përvjetori i kësaj shkolle.

Në këtë manifestim morri pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, nënkryetari Xhavit Zariqi, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri si dhe mysafirë të shumtë.
Në hapjen e këtij manifestimi të pranishmit i ka përshëndetur drejtori i kësaj shkolle Idriz Ademi, duke folur për sukseset, sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo vatër e diturisë.

E nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se shkolla jonë, e sidomos shkolla profesionale, ndodhet para disa sfidave, kapërcimi me sukses i të cilave, do të thotë mbështetje e madhe në kapërcimin e vështirësive drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit tonë. Këto sfida janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe tejkalimi i njërës, i hap rrugën, ose e ndihmon tejkalimin e të tjerave.

“Sfida e parë ka të bëjë me ngritjen e cilësisë së arsimit dhe edukimit. Ndryshimi cilësor në shkollat tona ka qenë nevojë e përhershme, por ajo tashmë është bërë e pashtyeshme pas rezultateve që u publikuan në fund të vitit të kaluar nga organizata ndërkombëtare, të cilat tregonin shkallë të pakënaqshme të dijeve dhe shkathtësive të shkollarëve tanë. Aq më tepër që ky vlerësim vjen në kohën e përpjekjeve të vazhdueshme për t’u integruar në bashkësinë e popujve dhe shteteve të Evropës. Synimi ynë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, do të ishte vetëm një dëshirë pa mbulesë, nëse fëmijët dhe të rinjtë tanë nuk i arsimojmë me cilësi të përafërt me vendet që tashmë janë anëtare të këtij bashkimi”, ka thënë kryetari Svarqa.

Numri një i qytetit të Ferizajt është ndalur edhe tek incidentet e fundit që ka ndodhur, që sipas tij kjo dëshmon për një shkalle alarmante të sjelljes së nxënësve.
“Dëmtimi i inventarit shkollor në një shkollë të Lipjanit, shkatërrimi i inventarit në një shkollë të Shtimes, sjellja e papranueshme e nxënësve gjatë mësimit në një shkollë të Gjilanit, si dhe përleshjet grupore të nxënësve, me pasojë lëndimin e disa prej tyre në qendër të Ferizajt, bëjnë me dije për situatën, para së cilës nuk mund të rrimë të qetë dhe ta shohim vetëm si spektatorë. Të gjithë ne që jemi të lidhur me shkollën, duhet të mobilizohemi, të mendojmë seriozisht se çfarë mund të bëjmë për ta sanuar sa më shpejt këtë gjendje, e cila nuk është e mirë në tërë Kosovën. Konsideroj se duhen ndryshime rrënjësore të shumë aspekteve, sidomos në përkufizimin e të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të nxënësve dhe personelit arsimor dhe të ndërmerren masa e veprime që mundësojnë krijimin e mjedisit të përshtatshëm për mësim e shkollim cilësor. Sfida tjetër, është përshtatja e planeve dhe programeve shkollore me nevojat e vërteta të nxënësve, për t’i përvetësuar njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme për punë në profesionet e zgjedhura. Kjo është një kërkesë e kahershme, e cila po ashtu po artikulohet gjithnjë e më shpesh. Përgatitja profesionale e të rinjve për t’i zotëruar profesionet që ata zgjedhin gjatë shkollimit të mesëm, nga këndvështrimi im, është nevojë e ngutshme.

Rritja e vëllimit të punës praktike dhe e aftësimit për punë, sidomos në shkollat profesionale, është aspekti më i rëndësishëm i përgatitjes së fëmijëve dhe të rinjve për profesionet e zgjedhura dhe njëkohësisht është përgatitje e tyre për jetë. Komuna e Ferizajt do të lobojë në vazhdimësi tek autoritetet qendrore për ndryshime cilësore të programeve mësimore, në mënyrë që të kemi një shkollim ku të rinjtë tanë do të aftësohen vërtet për profesionet që zgjedhin”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai tutje ka thënë se sfidë e radhës, është edhe hulumtimi më i drejtpërdrejtë i tregut të punës në Ferizaj dhe në Kosovë, i nevojave të tregut dhe përshtatja e planeve dhe programeve mësimore me këto nevoja.
Në shënimin e 62 vjetorit të shkollës ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, është shfaqur edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.
/InfoKomuna/