Shënohet dita e shkollës Gjon Serreqi në Ferizaj
Shkolla Fillore e Mesme të Ulët Gjon Serreqi në Ferizaj, të enjte ka shënuar ditën e shkollës.
Për të shënuar këtë ditë ishin mbledhur struktura udhëheqëse të Komunës së Ferizajt, mësimdhënës, veterane të arsimit si dhe nxënës dhe prindër të kësaj shkolle.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili tha se në një ditë si kjo, është rast i shkëlqyer për të kujtuar sakrificën e bërë me breza, në themelet e idealeve atdhetare, që është bërë përgjatë shekujve e dekadave nga bijtë e bijat e popullit të Kosovës.
Midis tyre, pa dyshim njëri nga ekzemplarët më të ndritshëm është atdhetari idealisti, i riu, i cili ia kushtoi tëre jetën e tij të shkurtër idesë së bashkimit të shqiptarëve në një shtet dhe lirisë kombëtare, Gjon Serreqi.
Ju brezat e rinj, duhet të mësoni nga shëmbëlltyra e Gjon Serreqit se si njeriu flijohet vetëdijshëm për idealin e tij, edhe atëherë kur është i bindur se beteja nuk do të fitohet, ka thënë kryetari Svarqa.
Ndërkaq drejtori i kësaj shkolle Milazim Derguti, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe i ka njoftuar lidhur me detajet e kësaj shkolle.
Me këtë rast u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së Gjon Serreqit si dhe ishte përgatitur një program i pasur kulturo-artistik.