Spitali Rajonal i Pejës përballet me mungesë të anesteziologëve

PejëPostuar: 13:35 / 27.01.2016

 Ka gati 10 vjet që Spitali Rajonal i Pejës përballet me mungesë të specialistëve të anesteziologjisë. Për intervenimet kirurgjike në të gjitha repartet e spitalit gjitha këto vite kanë qenë në dispozicion vetëm tre anesteziologë të specializuar.

Herën e fundit kur ky spital ka pasur më shumë se tre anesteziologë ka qenë në vitin 2005. Mirëpo, katër prej tyre e kanë lëshuar spitalin. Dy kanë shkuar në Prishtinë, njëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i katërti në Bosnjë. Që atëherë ky spital nuk ka arritur të shtojë më numrin e anesteziologëve, ndonëse nevoja ka qenë edhe për së paku shtatë të tjerë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Spitali ynë mbulon një rajon me katër komuna me mbi 350 mijë banorë. Brenda vitit kemi mbi 68 mijë pacientë dhe mbi 3.500 raste që operohen. Prandaj rrjedhimisht rezulton se tre anesteziologë që i kemi qe disa vite nuk mjaftojnë të përballen me krejt këtë numër të pacientëve. Por, ekziston përkushtimi dhe angazhimi maksimum i anesteziologëve që i kemi, të cilëve vendbanimi i tyre i parë u është bërë spitali nga fakti se ky shërbim ofrohet gjatë tërë javës 24 orë në ditë”, thotë drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj.

“Nga Peja katër-pesë vitet e fundit janë specializuar 15 anesteziologë, por asnjëri prej tyre nuk është kthyer në Spitalin e Pejës. Arsyeja pse po ndodh kështu është se nëse një kandidat që konkurron në Ministrinë e Shëndetësisë për specializim nuk obligohet që të kthehet në Pejë dhe ata mbesin në institucionet mjekësore që i kanë më afër. Shumica e tyre vendosin që karrierën ta vazhdojnë në QKUK dhe mundimet tona si spital po shkojnë huq”, thotë Dreshaj. /KohNet