Tashmë QKMF në Junik do të ofrojë shërbime 24 orë gjatë 7 ditëve të javës

JunikPostuar: 17:00 / 29.12.2023

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se tashmë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare do të ofrojë shërbime 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.

Njoftimi i plotë i kryetarit Shehu:

Të dashur junikas,

Për më shumë se një dekadë QKMF në Junik ka funksionuar vetëm disa orë gjatë ditëve të punës duke detyruar banorët e Junikut që të shkojnë në komuna përreth që të marrim shërbime mjekësore. Nga tani dhe tutje Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Junik do të funksionoj 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës. Njëkohësisht është funksionalizuar edhe aparatura e rentgenit duke mundësuar edhe ofrimin e të gjitha shërbimeve radiologjike nga QKMF Junik. Pra të gjitha shërbimet mjekësore që ofrojnë QKMF në çdo komunë tjetër, prej tani do të ofrohen edhe në QKMF në Junik.

Funksionalizimi i QKMF pas kaq shumë viteve ka qenë një nga premtimet tona kryesore elektorale. Me kënaqësi sot ju konfirmojmë që edhe ky premtim është përmbushur me sukses.

Me këtë rast duhet të falënderojmë edhe kompaninë KosovaMed Healthcare për donacionin e pajisjeve të brendit botëror japonez Fujifilm të cilat mundësojnë funksionalizimin e rentgenit analog së bashku me digjitalizerin Fujifilm Prima TM si dhe printerin e filmave radiologjik Fujifilm Drypix EDGE së bashku me pajisjet përcjellëse.

Urime të gjithë banorëve të Junikut.

Vazhdojmë tutje,
R.Sh