Urimi i kryetarit Shehu për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

JunikPostuar: 14:13 / 17.02.2024

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Urimi i plotë i kryetarit Shehu:

“Urime gjashtëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të gjithë ne, pasi që pavarësia e shtetit të Kosovës është identiteti ynë shtetëror dhe kombëtar si dhe vula e sakrificave tona shekullore.

Në këtë ditë historike, duhet të kujtojmë dhe nderojmë me përulje sakrificat e dëshmorëve, heronjve, martirëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka në këmbim të lirisë që e gëzojmë sot.

Më lejoni të citoj një thënie të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i cili çdo herë thoshte se “Shtëpia nuk mbahet pa miq”. Në këtë drejtim, ne do të jemi përherë mirënjohës ndaj miqve tanë ndërkombëtar siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian, për mbështetjen e tyre pa rezervë në rrugën drejt çlirimit dhe pavarësisë së shtetin tonë. Po ashtu falenderues jemi edhe për përkrahjen e tyre në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës që po vazhdon edhe sot me synimin e palëkundur për integrimin e plotë në NATO, BE, dhe në të gjitha strukturat tjera Euro-Atlantike.

Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në botë, së bashku me të gjithë miqtë tanë ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian.
R.Sh."