Komuna e Lipjanit marshon kundër kancerit të gjirit me moton “Zbulimi i hershëm shpëton jetë”

LipjanPostuar: 17:36 / 13.10.2023

Nënkryetari Bytyqi tha se është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku të përçojmë mesazhin që t’i kushtojmë kujdes e vëmendje më të madhe shëndetit për të diagnostifikuar sa më herët sëmundje të tilla.

“Komuna jonë këtë vit është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve në kuadër të Tetorit Rozë, aktivitete këto që kanë për synim ngritjen e vetëdijes qytetare karshi problematikave të ndryshme shëndetësore, e po ashtu edhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Kemi arritur marrëveshje me Komunën e Prishtinës që gratë nga Komuna e Lipjanit të bëjnë mamografinë falas, e po ashtu kemi siguruar edhe transportin nga Lipjani për në Prishtinë për të gjitha ato gra që janë të interesuara ta shfrytëzojnë këtë shërbim pa pagesë. Gjithashtu në QKMF për tre ditë radhazi do të qëndroj edhe mamografi mobil i mbështetur nga QKUK. Të gjithë së bashku mundë të arrijmë që përmes këtyre aktiviteteve të ndihmojmë në zbulimin sa më të hershëm të kësaj sëmundje”, është shprehur nënkryetari Bytyqi.

Gjatë ditës së sotme po ashtu në sallën e Kuvendit të Komunës u organizua ligjëratë me temën “Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit”, prezantuar nga Dr. Merita Bytyqi.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan Drejtori i DSHPS-së, Shkelzen Hajdini, Kryesuesja e Grupit të Grave, Hyra Bytyçi dhe zv.drejtoresha e QKMF-së, Mirjeta Cakolli - Bajçinca.

Këto aktivitete kishin për qëllim ndërgjegjësimin dhe diagnostikimin sa më të hershëm të kancerit të gjirit, si dhe marrjen e masave preventive.