Lipjani komuna e parë në Kosovë që lanson platformën “Harta Dixhitale Komunale”
Kjo platformë synon ofrimin e një qasje më të lehtë në pronat komunale dhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit, e që nga sot është e qasshme nga të gjithë qytetarët të cilët mund të informohen në kohë reale për një numër të madh të të dhënave gjeohapësinore zyrtare duke përfshi të dhënat e pronave komunale, urbanizmit, adresat, institucionet, etj.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti tha se është i lumtur që komuna e Lipjanit është e para në nivel vendi që po lanson një hartë të tillë.
“Lansimi i hartës dixhitale komunale është një arritje e madhe. Përmes këtij projekti qytetarët do të kenë më shumë njohuri rreth pronave komunale. Po ashtu kjo hartë do të shërbej edhe për bizneset dhe investitorët potencial dhe për të gjithë ata që duan ta vizitojnë Lipjanin”, është shprehur kryetari Ahmeti.
Kryetari Ahmeti tha se është mirënjohës për kontributin që ka dhënë USAID në realizimin e këtij projekti, andaj ka falënderuar Drejtoreshën e aktivitetit të USAID-it, Qeverisja e Pronës, znj. Jennifer Ober dhe ekipin e saj për përkrahjen e vazhdueshme që po i ofrojnë komunës sonë.
Drejtoresha e Aktivitetit në USAID, Jennifer Ober, deklaroi se për realizimin e këtij projekti kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Lipjanit.
“Kënaqësi që jam sot me ju në lansimin e hartës dixhitale. Falënderoj kryetarin Ahmeti dhe gjithë ekipin nga Komuna e Lipjanit për bashkëpunimin që kanë pasur në realizimin e kësaj platforme e cila ofron transparencën për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me pronat dhe falë bashkëpunimit edhe me ASHI platforma do të jetë pjesë e domenit nacional” është shprehur drejtoresha Ober.
Prezantimin e hartës dixhitale komunale e bëri zyrtari komunal Jetmir Bytyqi. Harta Dixhitale Komunal u realizua me përkrahje të USAID, aktiviteti Qeverisja e Pronës.