Në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan është përuruar projekti mjedisor “Ndikimi i Rinisë në Mjedis”
Të pranishëm në këtë ceremoni ishte Nënkryetari i Komunës së Lipjanit Diamanti Bytyqi, Drejtori i Arsimi Rasim Hasani, Drejtoresha e Kulturës Rinis dhe Sportit Anila Reçica Llugiqi përfaqësues nga MZHR, Caritasi-t Zviceran si dhe përfaqësuesi nga organizata GAC.
Nënkryetari Bytyqi, ka vlerësuar projektin në fjalë duke theksuar rëndësinë e kujdesit për mjedisin.
"Mjedisi është pasuria jonë më e çmuar, le të bashkohemi së bashku për ta mbrojtur dhe për ta ruajtur atë për brezat e ardhshëm, çdo veprim i vogël i yni mund të ketë një ndikim të madh, prandaj projekte të tilla të cilat kanë qëllim ruajtjen dhe përkujdesin për mjedisin janë një hap tejet i rëndësishëm drejt një mjedisi më të qëndrueshëm dhe më të pastër për të ardhmen tonë”, ka thënë Nënkryetari Bytyqi, duke shtuar se përmes ndërgjegjësimit, rinia mund të luaj një rol kyç në kujdesin për mjedis dhe në zhvillimin e një kulture mjedisore në komunitetin tonë.
Gjatë kësaj ngjarje përfaqësuesit e Gjimnazit “Ulpiana” kanë ndarë mirënjohje për përfaqësuesit institucional si dhe përfaqësuesit e organizatave mbështetëse të këtij projekti.
Projekti “Ndikimi i Rinisë në Mjedis”- YENI bashkëfinancohet nga Komuna e Lipjanit, Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Caritas-i Zviceran, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe implementohet nga OJQ Green Art Center.