Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Malishevë vlerësoi situatën e sigurisë në komunë

MalishevëPostuar: 12:36 / 26.09.2023

Ky takim është drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kurse KKSB, ka dalë me konkluzione lidhur me situatën e sigurisë e cila megjithatë u vlerësua e qetë dhe pa tendencë të destabilizimit.

Në fillim të këtij takimi të KKSB, kryetari Kastrati, shprehi shqetësimin e tij dhe të qytetarëve, pasi në pesë muajt e fundit, kanë ndodhur tri raste të vrasjeve, por të cilat nuk mund të ndikojnë sigurinë e përgjithshme, pasi rastet nuk kanë të bëjnë me ndonjë organizim të caktuar, që do të ndikonte në sigurinë e përgjithshme, por që gjithsesi janë shqetësuese.

Në raportimin e Policisë së Kosovës, në këtë takim, u tha në asnjë mënyrë këto ngjarje nuk e prishin situatën e sigurisë së përgjithshme, pasi rastet janë të izoluara dhe të ndodhura për motive tjera, që s’kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme, ndërsa ka rënie për 15% të rasteve të krimeve, si dhe ka rritje për 7% të z bulimit të rasteve.

Në këtë mbledhje, kanë kontribuar edhe anëtarët tjerë të KKSB, si Komiteti për Komunitete dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë, të cilët edhe kanë bërë thirrje për përmbajtje, ndërsa është bërë e ditur se këtë të premte (e xhuma), nëpër xhami do të mbahen ligjërata me karakter parandalues për rastet e tilla, si dhe për bashkëpunim me organet e rendit.  Po ashtu  në këtë takim, është trajtuar edhe tema e zjarreve dhe menaxhimi i tyre.

Në fund të takimit, janë nxjerrë rekomandime dhe konkluzione për situatën e sigurisë së përgjithshme, ku tha se “me gjithë rastet e ndodhura në Komunën e Malishevës, situata e sigurisë paraqitet e qetë dhe pa tendencë të destabilizimit të saj”, si dhe “ KKSB, shpreh keqardhjen e saj, për rastet e ndodhura, si dhe përgëzon organet e rendit për zbardhjen e shpejtë të rasteve, ndërsa kërkon nga të gjithë qytetarët për gjakftohtësi në rastet e tilla dhe ju bën thirrje të gjithëve që të kontribuojnë në parandalimin e rasteve të tilla, si dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit, edhe në parandalimin e rasteve të tilla dhe në parandalimin e zjarreve”.