Komuna e Malishevës dhe Qatar Charity përkrahën edhe 93 bujq

MalishevëPostuar: 14:47 / 20.10.2023

Për këtë donacion dhe përkrahjen e mëhershme nga Qatar Charity, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i ka falënderuar dhe ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në Komunën e Malishevës, për drejtorin e Qatar Charity zyra në Kosovë, Esam Dabab dhe përfaqësuesin tjetër të kësaj organizate, Ahmad Al Ashal.

“Në emër të Komunës së Malishevës, ju falënderoj përzemërsisht për gjithë kontributin e dhënë në komunën tonë, për përkrahje të vazhdueshme, për njerëzit në nevojë dhe për bujqit tanë, përmes ndërtimit të shtëpive, hapjen e puseve, ndërtimin e serrave dhe me mekanizëm bujqësor. Përmes këtyre donacioneve, është rritur mirëqenia për shumë familje, e po ashtu edhe është ndihmuar bujqësia, e cila është baza e zhvillimit ekonomik”, ka thënë kryetari Kastrati, me rastin e ndarjes së mirënjohjeve për zyrtarët e Qatar Charity.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Qatar Charity, Ahmad Al Ashal, tha se “kjo nuk është një ndihmë, por një dhuratë nga populli i Katarit, për popullin e Kosovës dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe më tutje. Ne e falënderojmë Komunën e Malishevës, për bashkëpunimin e shkëlqyer, për realizimin e këtyre projekteve”.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, gjithashtu e ka falënderuar organizatën Qatar Charity, për këtë përkrahje shumë të madhe dhe domethënëse për bujqit malishevas, e po ashtu edhe zyrtarin e Qatar Charity, Bajram Morina dhe zyrtarin e Drejtorisë për Bujqësi, Leotrim Kastrati, për angazhimin e tyre në realizimin e kësaj përkrahje për bujqit nga Komuna e Malishevës.

Në këtë fazë të realizmit të këtij programi të Qatar Charity në bashkëpunim me Komunën e Malishevës, përfitues janë 93 bujq, përkatësisht janë duke u ndërtuar 52 serra, kanë përfituar 11 bletar, janë shpërndarë 11 motokultivatorë, 12 freza dhe 8 kositëse.