Komuna e Malishevës ka filluar me mbajtjen e dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit
Për këtë qëllim, sot janë organizuar katër dëgjime buxhetore, me sektorët apo grupe të ndryshme të interesit, ku janë përfshi kryetarët e Këshillave Lokal në Malishevë, Arsimi, Shëndetësia, Bizneset dhe Organizatat Jo Qeveritare.
Draft buxhetin komunal, para të pranishmëve në këto takime e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, me zyrtarët e kësaj drejtorie, ku i kanë njoftuar me buxhetin e planifikuar për Komunën e Malishevës.
Sipas drejtorit, Thaçi, buxheti i planifikuar për vitin 2024 për Komunën e Malishevës, është rreth 20 milion euro, ndërsa për investime kapitale janë të planifikuara 6.2 milion euro, e po ashtu i ka njoftuar për ndarjet tjera buxhetore, si mallra e shërbime, subvencione dhe kategoritë tjera buxhetore.
Pas njoftimit me buxhetin e planifikuar, pjesëmarrësit në këto dëgjime, i kanë paraqitur kërkesat e tyre për hartimin e buxhetit, përkatësisht për orientimin e buxhetit të planifikuar për investime, në mënyrë që investimet të krijojnë mirëqenie dhe zhvillimin për Komunën e Malishevës dhe për këtë qëllim, edhe janë duke u mbajtur këto dëgjime publike.
Në ditët në vijim, dëgjimet apo konsultimet publike për hartimin e projekt buxhetit, do të mbahen edhe nëpër fshatrat e Komunës së Malishevës, me qëllim të gjithë përfshirjes së qytetarëve, në hartimin dhe orientimin e buxhetit dhe investimeve për vitin 2024.