Komuna e Malishevës përkrahë bujqit me mekanizëm bujqësor
Sot, në shpërndarjen e këtij mekanizmi bujqësor, ishin të pranishëm edhe i pari i Malishevës, Ekrem Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sylë Dukolli.
Kryetari Kastrati dhe drejtori Dukolli, i kanë takuar shumicën prej përfituesve, të cilët i kanë uruar, si dhe janë shprehur se përkrahja për bujqit malishevas, do të jetë gjithmonë prioritet, pasi bujqësia është dega kryesore e zhvillimit ekonomik.
“Ne nuk do të ndalemi së përkrahuri bujqësinë dhe bujqit, pasi bujqësia është dega kryesore ekonomike, sidomos në territorin tonë dhe garanton zhvillim, po ashtu edhe interesi ynë është që tregu të jetë i furnizuar me prodhime vendore dhe përmes kësaj përkrahje, ne e sigurojmë këtë dhe me këto investime rrjedhimisht i motivojmë edhe të tjerët që të merren me bujqësi”, ka thënë kryetari Kastrati.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, ka sqaruar, se sot është shpërndarë mekanizmi bujqësor për 63 bujq, ndërsa kjo përkrahje do të vazhdoj edhe në ditët në vijim, bazuar në thirrjen për subvencionim.