Malisheva shënon Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve
Aktivitetet kanë filluar në orët e paradites, ku është bërë marshimi nga pjesëmarrësit nga objekti i Komunës së Malishevës deri te varrezat e dëshmorëve në Malishevë, ku edhe janë bërë homazhe, dhe më pas homazhe dhe aktivitete me nxënës të shkollave fillore janë bërë edhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Kleçkë.
Më pas, në mesditë, në Bulevardin “Ibrahim Mazreku” në qendër të qytetit është mbajtur manifestimi qendror, ku të pranishmëve me nga një fjalë përshëndetëse u janë drejtuar, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryesuesi Argjend Thaçi, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK –së, Metush Kryeziu, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Shpëtim Idrizi, kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të cilët dhanë mesazhet më të mira për nder të shënimit të kësaj dite, më e rëndësishmja për qytetarët e Komunës së Malishevës.
Më pas, janë ndarë edhe çmimet tradicionale për Trimëri dhe Heroizëm “Imer Krasniqi” ish ushtarëve të UÇK-së, Fadil Berisha dhe Shpejtim Krasniqi, pastaj çmimi për kontribut në arsim “Hamdi Berisha”, që ju ndarë mësuesve Hysen Bytyqi dhe Haki Morina (pas vdekjes), si dhe çmimi për kontribut në shëndetësi “dr. Shpëtim Robaj”, për Agim Morina dhe Lumni Samadraxha.
Në fjalët e rastit të mbajtur në manifestimin qendror, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka folur për kontributin e Malishevës në luftën çlirimtare, rolin që ka luajtur Malisheva gjatë luftës, për dëshmorët dhe sakrificën e popullatës së Malishevës, si dhe për zhvillimin dhe ndërtimin e pasluftës. Po ashtu, duke folur për luftën, kryetari Kastrati, e përsëriti kërkesën për lirimin e krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Në fund të këtij manifestimi është mbajtur edhe një program i pasur kulturor dhe artistik, duke filluar nga artisti i madh Arif Vladi, aktori i njohur, Basri Lushtaku dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Përparim Tomçini” nga Dibra.
Aktivitetet e sotme, përfundojnë në orët e mbrëmjes me një koncert të madh në Bulevardin “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.