Mbahet aktivitet me nxënësit me nevoja të veçanta të Komunës së Malishevës
Në këtë aktivitet, me rastin e shënimit të 3 Dhjetorit, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, i uroi të gjithë personat me nevoja të veçanta dhe i siguroi se “qeveria komunale në Malishevë, do të jetë në shërbimin e tyre, për të krijuar kushte sa më të mira dhe lehtësi në zhvillimin e aktiviteteve të përditshme, si dhe në shkollimin dhe edukimin e tyre, pasi kjo kategori duhet ti gëzojnë të gjitha të drejtat, si pjesë e barabartë e shoqërisë”.
Në këtë aktivitet, drejtoresha e SH.F.M.U. “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Rrezartë Mazreku-Kastrati, ka paraqitur një historik të krijimit të klasave për nxënës me nevoja të veçanta, nga vitit 2002 e deri më sot, dhe punën që bëhet në këtë shkollë me këtë kategori.
Më pas, njëri nga ish nxënësit e parë të kësaj shkolle, Arben Krasniqi, paraqiti përvojën e tij personale dhe edukimin që ka marrë, e i cili tash, jo vetëm që ka përfunduar shkollimin e lartë dhe është zyrtar komunal, por është edhe në përfundim të temës së masterit, në fushën e administratës publike.
Në emër të prindërve, Zize Gegaj, e ka falënderuar komunën dhe të gjithë mësimdhënësit që i mbështesin në vazhdimësi në mënyrë që edhe këta fëmijë të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.