Mbahet debati publik për raportin e VNM për ndërtimin e nënstacionit energjetik 220 Kv për Malishevën
Raporti i VNM është realizuar nga eksperti i fushës, Pëllumb Gjinolli, i cili edhe e ka prezantuar këtë raport, para pjesëmarrësve në këtë debat publik, për ndikimet e mundshme në mjedis, edhe pse natyra e projektit është e tillë që mundësitë e ndikimit në mjedis janë të pakta.
Për rëndësinë e realizimit të këtij projekti, ka folur përfaqësuesi i KOSTT-it, Astrit Sadriu.
Në këtë debat, edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, ka folur për rëndësinë dhe nevojën emergjente që ka Malisheva, për ndërtimin e këtij nënstacioni, ndërsa tërë situatën aktuale të furnizimit me energji elektrike e ka quajtur të jashtëzakonshme dhe me ndikim të madh për zhvillim ekonomik, pasi mungesa e energjisë elektrike, po ndikon drejtpërdrejt edhe në investime, në bizneset dhe në ekonomitë familjare. Drejtori Morina, ka kërkuar nga organet përgjegjëse, që procedurat të përshpejtohen dhe i tërë projekti të kryhet në afat rekord, duke filluar nga dhënia e lejes mjedisore, e deri në realizimin e tërësishëm të projektit me rëndësi jetike për Malishevën dhe qytetarët e saj.
Të pranishmit, gjithashtu kanë bërë pyetje rreth raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe kanë marrë përgjigjet nga hartuesi i këtij raporti.