Mbahet mbledhja e parë për këtë vit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Malishevës

MalishevëPostuar: 12:29 / 08.02.2024

Bazuar në raportet e organeve përgjegjëse për siguri, situata e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Malishevës, vlerësohet e qetë dhe stabile, dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, e sipas të cilit, policia do të vazhdoj të jetë në gatishmëri të plotë në shërbim të qytetarëve për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së tyre, si dhe të trajtoj çdo problem që lidhet me sigurinë.

Në këtë mbledhje, nga ana e drejtoreshës së Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, është raportuar edhe për gjendjen në arsim, përkatësisht në shkollat e komunës sonë, e që sipas drejtoreshës Krasniqi, shqetësimi më i madh është rrugëtimi i nxënësve deri në shkollë dhe anasjelltas, për shkak të qenve endacak. Ndërsa për çështjet tjera, drejtoresha Krasniqi, e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe komunikimin me prind, që janë duke realizuar, ku krahas çështjeve tjera, angazhohen shumë edhe për sigurinë në shkolla, si dhe bashkëpunimin me policinë, ku në vazhdimësi mbahen ligjërata në shkolla.

Në fillim të kësaj mbledhje, pas prezantimit të Planit të Veprimit së KKSB, për vitin 2024, nga ana e koordinatorit të KKSB në Malishevë, Halit Mazreku, unanimisht, anëtarët e këtij këshilli, e kanë miratuar këtë plan dhe është rekomanduar për miratim në Kuvendin e Komunës.

Nga mbledhja e sotme dolën tri rekomandime, për planin e veprimit, pastaj për rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe të tjerët, si dhe për raportimin e problemeve të sigurisë në bashkësi përmes ueb faqes zyrtare të komunës, në linkun: https://kk.rks-gov.net/.../raporto-problemet-e-sigurise.../