Në Malishevë shënohet 25 Vjetori i Dëshmorëve të UÇK-së dhe Dita e Brigadës 121 “Kumanova”
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati në fjalën e rastit ndër të tjera tha: “Në vendin ku sot jemi mbledhur, në Kleçkën e pathyeshme është harta më e mirë e shqiptarisë, dhe dëshmia më e madhe e kohës dhe historisë, për këtë faktojnë emrat e dëshmorëve, që në ditët më të vështira erdhën nga trevat mbarë shqiptare, në krye me heroin e kombit, Ismet Jasharin – Kumanova, që është kthyer në një simbol të heroizmit të kombit shqiptar. Komandant Kumanova bashkë me bashkëluftëtarë dhanë krejt çfarë patën nga vetja derisa ranë për liri e atdhe, duke i shërbyer misionit fisnik që historikisht i ka bashkuar shqiptarët, pra luftës për liri, atdhe e komb. Pra liria e Kosovës nuk është falur, por është paguar shumë shtrenjtë, dhe madje vet themelet e shtetit të Kosovës janë aty, ku janë varrezat e dëshmorëve, përmendoret e shenjat përkujtimore, të atyre që kanë dhënë jetën për liri e atdhe. Ju familjarë të dëshmorëve të kombit, por edhe gjeneratave tuaja të lirisë, të jeni gjithnjë krenar, sepse gjaku i dëshmorëve, është burimi i lirisë që sot ne e gëzojmë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Komandant Kumanovës, gjithë dëshmorëve të Brigadës 121, Lavdi dëshmorëve të kombit, në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari”.
Në këta përvjetorë, u lexua edhe kumtesa për luftën e UÇK-së, nga Prof. Ibrahim Gashi, si dhe në fund përformuan, artistë e këngëtarë me programin artistik.