U përurua objekti i ri i shkollës “Asim Vokshi” në Panorc të Malishevës
Në ceremoninë e përurimit, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, drejtor të drejtorive komunale, zyrtarë të drejtorisë për arsim, banorë të fshatrave Panorc e Rud, e të cilët bashkë me nxënësit dhe mësimdhënësit, e bënë përurimin e objektit të ri të kësaj shkolle.
Pasi i ka uruar, nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se “ Si qeveri komunale, jemi duke bërë përpjekje për rritje të cilësisë në shkollat tona dhe këtë jemi duke e bërë, duke investuar në infrastrukturën shkollore, në hapësirën e nevojshme dhe krijimin e kushteve sa më të mira, me qëllimin e vetëm, rritjen e cilësisë dhe arritjes së sukseseve në arsim”.
Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, në fjalën e rastit, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e këtij objekti modern shkollor. “Falë punës dhe përkushtimit të të gjithë mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, puna jonë si drejtori komunale, bëhet më e lehtë, prandaj edhe e kemi përkrahjen e madhe nga ana e kryetarit Kastrati, si në këtë rast, ku jemi përkrahur pa kufi, për hapjen e këtij objekti shkollor, që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim”.
Fillimisht, drejtori i shkollës, Bali Rudi, i ka falënderuar të gjithë, për kontributin e dhënë, në ndërtimin e objektit të shkollës, e në veçanti Komunën e Malishevës dhe Drejtorinë për Arsim dhe Edukim, dhe më pas folur edhe për historikun e shkollës, që nga viti 1947 e deri më sot.
Në fund, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtoresha e DAE, Arbëreshë Krasniqi, drejtori i shkollës, Bali Rudi dhe familja e cila ka mundësuar hapësirën për ndërtimin e shkollës, e kanë bërë prerjen e shiritit dhe i kanë hapur dyert e saj.