Afro 100 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatën në veri të Mitrovicës
Moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë, e arritur në shkurtin e vitit 2015, më së shumti ka goditur qytetarët serbë të veriut të Kosovës, të cilët nuk mund ta realizojnë të drejtën e tyre. Moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për gjyqësorin e integruar është problem për bashkësinë serbe në Kosovë dhe duhet bërë përpjekje që marrëveshja të konkretizohet.
Këto komente i ka bërë gjyqtarja në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, Jelena Krivokapiq, në një debat që ka organizuar Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike, ACDC-ja, në veri të Mitrovicës.
Ajo tha se që nga janari kolegët e saj gjyqtarë e prokurorë nuk kanë asnjë informacion lidhur me datën e fillimit të funksionimit të gjyqësorit të integruar, se askush nuk u thotë asgjë, se nuk i dinë arsyet e moszbatimit të Marrëveshjes për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë dhe se janë duke punuar me kapacitet të zvogëluar.