Dyshime se kompani serbe regjistrohen në veri të Kosovës për tu ikur tatimeve
Një dyshim të tillë e ka kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ai ka thënë se ekzistojnë dyshime se shumë kompani nga Serbia janë të regjistruar në Kosovë, që këtë regjistrim e përdorin për qëllime informale, raporton lajmi.net.
Për një gjë të tillë, ditë më parë kanë raportuar edhe mediat serbe, ndërsa zyrtarë të shtetit të Serbisë janë shprehur se do të nisin hetimet për të zbardhur këtë çështje.
Por, Gërxhaliu në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se është koha që të ketë një monitorim më të madh dhe mundësi të sundimit të ligjit për eliminuar këto parregullsi.
Ajo cak është evidente se në veri kemi çdo ditë kompani të cilat janë të regjistruara tek institucionet vendore , qoftë në Agjencionin për Regjistrim të Bizneseve qoftë sa i përket fiskalizimit për të kryer veprimtari të ndryshme në Kosovë.
Ekzistojnë dyshime se një numër shumë i madh i tyre janë të regjistruar në Kosovë për të shmangur tatimin ose për të shfrytëzuar këtë regjistrim për qëllime informale, por është koha që të kemi një monitorim, të kemi më shumë mundësi të sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kemi informacione të cilat do të jenë në funksion të eliminimit të parregullsive eventuale që bëjë ndërmarrje të tilla.
Por është e vërtet që numri i kompanive të cilat janë të regjistruar në Kosovë është në rritje e sipër, ka thënë ai.
Sipas Gërxhaliut, dialogu për çështje ekonomike me Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm e cila, siç vlerëson ai, ndikon në eliminimin e ekonomisë informale mes dy shteteve.
Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, thonë se nuk kanë ndonjë informatë nëse kompani nga Serbia regjistrohen në Kosovë, për ti ikur nga taksat.
Mehdi Pllashniku, drejtor i Drejtoratit për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, ka thënë se të gjitha bizneset e Serbisë që regjistrohen në Kosovë i nënshtrohet procedurave ligjore në bazë të ligjeve të Kosovës.
Ai për lajmi.net ka thënë se nuk kanë vërejtur që kohëve të fundit ka pasur shtim të numrit të regjistrimit të bizneseve nga Serbia.
Ne nuk kemi informacione nëse kompani të Serbisë regjistrohen në Kosovë për tu shmangur pagesave. Ajo çka mund të ju themi është se të gjitha bizneset e Serbisë që regjistrohen në Kosovë i nënshtrohen të gjitha procedurave që kanë bizneset vendore, ka thënë Pllashniku.
Për këtë gjë janë ngritur dyshime edhe në Serbi. Për këtë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Ai ka deklaruar se policia serbe në bashkëpunim me organet tjera relevante, do të vërtetojë nëse kompanitë nga Serbia janë regjistruar në Kosovë, në mënyrë që ti ikin pagesave të borxheve ndaj furnizuesve.
Sipas tij, e këtë do të bashkëpunojë, me siç është shprehur policinë e krahinës serbe, duke aluduar në Kosovën, për të parë nëse do të mund të zgjidhet kjo çështje./ lajmi.net.