Edhe dy stacione policore në Veri
Stacionet policore janë hapur me kërkesën e Policisë së Kosovës, përkatësisht nga Stacioni i Policisë në Leposaviq.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri, si dhe dy pushtetet lokale, ai që është organizuar me zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013, që i ka shpallur presidentja Atifete Jahjaga, si dhe komuna paralele e instaluar nga Qeveria e Serbisë, nëpërmes të të ashtuquajturit Organi i Përkohshëm, kanë vlerësuar se stacionet e reja policore do të ndikojnë në përmirësimin e sigurisë në atë pjesë të vendit.
Vetëm prania e zyrtarëve policorë do të ndikojë në mënyrë preventive kundër akteve kriminale dhe veprave të tjera kriminale dhe gjithashtu në një mënyrë do të jenë më afër qytetarëve, që qytetarët të mund ti drejtohen Policisë në çdo moment, në Leshak dhe në Soçanicë, pa nevojën që të shkojnë në Stacionin e Policisë në Leposaviq, ka thënë komandanti i Stacionit të Policisë në Leposaviq, Dragan Stefanoviq.
Se stacionet e reja policore do të ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, mendon edhe zv.drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti.
Mund të them se një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit të Policisë me administratën komunale janë hapja e këtyre stacioneve policore. Kjo në radhë të parë tregon për respektin e komunës dhe kryetarit ndaj qytetarëve dhe institucionit të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të ndikojmë në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunën e Leposaviqit dhe në komunat tjera, ka thënë kapiten Hoti, fjalët e të cilit i përcjellin mediet lokale në veri të Mitrovicës, të shtunën, shkruan Zëri.