Ende nuk dihet sa do të kushtojnë zgjedhjet në komunat veriore
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror Zgjedhor, tha për Koha.net se duke ditur që kjo s’është hera e parë që KQZ-ja organizon zgjedhje në këto katër komuna, ata kanë arritur që të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e zgjedhjeve në veri.
“Sa i përket pjesës së KQZ-së, ne besojmë se çdo gjë do të shkojë në rregull”, tha ai.
Por për sa i përket buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje, Elezi tha se ende gjithçka është në proces.
“Jemi në proces të planifikimit të kostos eventuale të këtyre zgjedhjeve dhe së shpejti do ta dimë këtë. Duhet sqaruar se kostoja përfundimtare e një procesi zgjedhor dihet pasi të përmbyllet i gjithë procesi”, tha tutje Elezi.
Si herët e kaluara, edhe këtë herë pritet një buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës.
“Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme, që do të thotë se në një vit jozgjedhor si ky, KQZ-ja nuk ka të planifikuar buxhet për këtë çështje. Në bazë të praktikave edhe në të kaluarën, pra kur janë shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme në një vit jozgjedhor, kërkesat buxhetore janë mbështetur çdo herë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kujtojmë se katër kryetarët serbë të këtyre komunave veriore, më 27 nëntor të vitit 2018, kanë dhënë dorëheqje duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia. Të katër komunat në veri janë udhëhequr nga Lista Serbe.
Gjithashtu, nga KQZ-ja dje u bë e ditur se për kandidim, afati i aplikimit nisi dje më [9 prill] dhe do të zgjasë deri më 18 prill, 2019, ndërsa certifikimi i tyre do të bëhet me datën 22 prill.
KQZ-ja, gjithashtu ka njoftuar se fushata zgjedhore, si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datën 13 maj dhe do të përfundojnë më 17 maj.