Ligji për Faljen e Borxheve nuk zbatohet në veri
Ligji ka paraparë të falë plot 680 milionë euro borxhe të qytetarëve të vendit që përfshin periudhën prej pasluftës deri më 31 dhjetor 2008.
Qysh nga përfundimi i luftës kjo pjesë e banueshme me shumicë serbe nuk kanë paguar obligimet ndaj shtetit. Megjithatë, këto borxhe do tu falen deri më 2008 personave fizikë dhe juridikë, por që të cilët duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.
Shefja e Zyrës Administrative në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, ka thënë se ligji nuk është duke u zbatuar, mirëpo nuk ka dashur ti komentojë arsyet për mosfillim e zbatimit të ligjit, si dhe nëse ligji do të fillojë në ditët në vazhdim.
Edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë thënë se ligji është duke u zbatuar në të gjitha komunat e vendit, përjashtuar komunat e veriut. Sipas tyre, ligji është proceduar edhe në këtë pjesë, por që ende nuk kanë marrë informacion se pse nuk ka filluar të zbatohet apo është çështje e mungesës së bashkëpunimit me institucionet e vendit.
Agim Dibrani, këshilltar i ministrit të Financave, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit për Faljen e Borxheve, ka thënë për gazetën Zëri se aplikimi për faljen e borxheve do të mundë të bëhet deri në shtator të këtij viti.