Mariq kërkon më shumë buxhet për komunat veriore
Ai insiston që komunave veriore tu ndahet buxhet ashtu si ato kanë planifikuar, shumëfish më shumë mjete buxhetore se u janë ndarë nga Ministria e Financave e Kosovës.
Komunat me shumicë serbe në Kosovë, posaçërisht ato në veri, kërcënohen të shuhen nëse nga buxheti i Kosovës nuk ndahen më shumë mjete buxhetore për to, ka përsëritur Mariq, i cili ka shtuar se i ashtuquajturi buxhet me qarkore të cilin e bën Ministria e Financave dhe i cili u është dorëzuar komunave në veri të Kosovës, është nën të gjitha nivelet e nevojshme për funksionim normal të komunave.
Sipas tij, ai buxhet është në mospërputhje dhe në kundërshtimin me integrimin që pritet të bëhet e që rrjedh nga procesi i Brukselit.
Kjo është e papranueshme dhe është konstatuar edhe pas shumë takimeve që janë mbajtur me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Qeverinë në Prishtinë. Është arritur marrëveshje që këto probleme të mënjanohen gjatë këtij viti, në pjesën e parë, para rishikimit të buxhetit, por gjithsesi që të mos vijë në situatë që qytetarët të mbesin pa shërbime që parashikohen nga pushteti lokal, ka thënë Mariq.
Sipas tij, në krahasim me vitin e kaluar, arkat e komunave në veri të Kosovës kanë më pak para.
Buxhetin që e ka lejuar Ministria e Financave është zvogëluar. Është me rëndësi që të vazhdohet me investime në infrastrukturë dhe që të krijohen kapacitete për qeveritë lokale, në mënyrë që tu jepet mbështetjeve afaristëve. Në këto kushte, me këtë buxhet kjo nuk do të mundë të bëhet, është shprehur Mariq./Zëri/