Mars 2014-dhjetor 2015, vetëm dhjetë dëbime në veri të Mitrovicës
Realizimi i dëbimeve në atë pjesë mbetet një ndër sfidat e kësaj Agjencie, që është paraqitur nga ushtruesja e detyrës së zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kosovare të Pronës, Florie Kika, në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ku ka paraqitur raportin e punës për vitin 2015.
Edhe në këtë mbledhje të Komisionit nuk kanë marrë pjesë deputetët e opozitës, të cilët për më shumë se gjashtë muaj po e bojkotojnë punën e komisioneve, në kundërshtim të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe asaj për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Kika ka thënë se pjesa më e madhe e dëbimeve që janë pezull dhe njëra prej sfidave më të mëdha që paraqiten në Agjencinë Kosovare të Pronës është pikërisht dëbimi në pjesën veriore të Mitrovicës.