Në veri nuk zbatohen Marrëveshjet e Brukselit
Strukturat paralele atje nuk janë shpërbërë, liria e lëvizjes ka mbetur në pikën zero, ndërsa gjyqësia dhe arsimi funksionon me ligjet e Serbisë. Nga të gjitha marrëveshjet e Brukselit (33) vetëm dy po zbatohen.Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Zgjedhjet me Sistem të Kosovës, janë ato të cilat ua mbushin xhepat serbëve me para
Me të kaluar urën e Ibrit, fitohet përshtypja se më nuk je në Kosovë.
Flamuj të shtetit të Serbisë, simbole të partive politike serbe, portrete të politikanëve serbë nëpër bilborde dhe ballina të ndërtesave, shtatore dhe buste të ngritura të kralëve e patriotëve serbë, madje edhe të kanxhallozëve rusë, si dhe muzika e zhurmshme serbe nëpër kafenetë e shumta, jo vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, të lë përshtypjen se je në mes të Serbisë, diku në Shumadi, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Me një fjalë, në veri është sikurse në Serbi.
Marrëveshjet e Brukselit nuk kanë gjetur zbatim në komunat veriore të Kosovës, ndërsa strukturat paralele nuk janë shpërbërë e liria e lëvizjes ka mbetur në pikën zero.
Dy marrëveshjet, të cilat Serbia ka pranuar ti zbatojë në veri të Kosovës, menaxhimi i integruar i kufirit dhe zgjedhjet me sistem të Kosovës, u krijojnë komunave veriore favore të mëdha, për këtë arsye mbase serbët e veriut të Kosovës dhe Serbia kanë pranuar që ti zbatojnë.