Policia jep detaje rreth sulmit të policisë kufitare në Veri
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Besim Hoti, i cili ka dhënë detaje të reja rreth këtij sulmi.
Sipas Hotit, nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar, megjithëse në veturë kanë qenë dy pjesëtarë policorë.
“Është sulmuar një veturë e policisë kufitare, të njësisë patrulluese të njësisë kufitare në fshatin Banje. Fatmirësisht nuk është lënduar askush, kanë qenë dy zyrtarë policorë në veturën zytare. Momentalisht nuk kemi dyshim konkretisht të finalizuar. Automjeti është sulmuar me armë zjarri”, ka thënë Hoti.
Megjithatë, Hoti njofton se sa i përket kësaj çështjeje vend-shikimi është në proces dhe se motivet janë ende të panjohura.
“Vendshikimi është ende në proces, pasi bëhet fjalë për një zonë malore dhe është duke u bërë vendshikimi ende. Motivet, shkaqet janë ende të panjohura dhe kjo është pjesë e hetimeve që duhet bërë në këtë drejtim. Është njoftuar prokurori për të gjitha procedurat që policia i ka ndërmarrë dhe të shohim”, ka shtuar ai.
Kjo nuk është hera e parë që në këtë fshat sulmohen zyrtarët policorë. Në vitin 2014, në po të njëjtin fshatë janë sulmuar policët, duke mbetur të plagosur 3 policë serbë.