Qytetarët ankohen për mungesë të investimeve në Veri të Mitrovicës
Për komunat veriore ndahet buxhet nga Qeveria e Kosovës, Qeveria e Serbisë dhe nga Fondi Zhvillimor për Veriun, si dhe nga disa organizata dhe BE-ja. Megjithëkëtë qytetarët veriut theksojnë se nuk ka investime. Ata thonë se paraja po shpërndahet padrejtësisht, dhe se po investohet në projekte pa interes të qytetarëve.
“Këtu nuk vërehet asgjë, asgjë nuk është investuar, vetëm vidhet dhe shpërlahet paraja,ndoshta edhe investohet por jo mjaftueshëm, ose kjo nuk po vërehet, ndoshta në periudhën e ardhshme do të investohet, sa do te shohim, nuk jam optimist.” “Vetëm premtime, asgjë konkrete.”
Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se Fondi për Zhvillim të Veriut vetëm këtë verë ka ndarë mbi 2 milionë, ndërsa që nga themelimi janë rreth 14.8 milionë euro të mbledhura në këtë fond. Sidoqoftë, në veri investohet edhe nga buxheti i Kosovës. Udhëheqësja e administratës në komunën e Mitrovicës veriore, Adriana Hoxhiq, deklaroi për programin në gjuhën serbe të Radio Kosovës, se qeverisja lokale ka pas në dispozicion rreth 500 mije euro, për shërbime publike dhe projektet infrastrukturore.
“Përveç asfaltimit, është rregulluar edhe ujësjellësi dhe kanalizimi, ndriçimi publik, trotuari dhe vend parkingjet. Është investuar edhe në sferën e arsimit..Kemi investuar edhe në shëndetësi. Për ne është e rëndësishme të përkrahim shëndetësinë, sepse 70 % e popullatës që vizitojnë Qendrën Klinike Spitalore janë nga jugu”, sqaron Hoxhiq.
Projekte realizohen edhe nga buxheti i Qeverisë së Serbisë, madje investime të mëdha për komunat në veri paralajmëroi edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ndërkaq analistët thonë se të gjitha investimet janë të mirëseardhura, pavarësisht nga vijnë. Analisti Lubomir Stanojkoviq vlerëson së më e rëndësishme në këtë drejtim është që ato menaxhohen si duhet.
“Ndoshta këto janë shuma të mëdha, por edhe kërkesat dhe nevojat e bashkësisë serbe janë të mëdha. Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë pjesë e sistemit kosovar, prandaj ka buxhet edhe nga Qeveria e Kosovës. Por, personalisht mendoj se më shumë mjete vijnë nga jashtë siç janë vendet e BE-së, por gjithsesi çdo shumë është e mirëseardhur nëse përdoret për qëllime të duhura dhe shkon në duar të vërteta.
Ndërsa politologu Behlul Beçaj vlerëson se investimet e mëdha vijnë nga Bashkimi Evropian, përderisa politikanët nga Kosova dhe Serbia premtojnë investime për interesa personale politike.