Sulmet me armë e plaçkitjet, përditshmëri në veri
Vetëm gjatë kësaj jave në atë pjesë kanë ndodhur disa raste të plaçkitjes nën kërcënim të armëve.
Një familje shqiptare në lagjen Kroi i Vitakut është sulmuar me armë zjarri, me çrast një anëtar i kësaj familjeje ka marrë plagë nga plumbat, ndërsa një rast tjetër ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve, kur dy serbë kanë sulmuar me thikë një të ri boshnjak, shkruan Zëri.
Në lagjen Kroi i Vitakut, të premten është sulmuar me armë familja e vëllezërve Barani, Eminit, Esatit dhe Ekremit. Nga ky sulm ka mbetur i plagosur Ekrem Barani, i cili ka marrë plagë në kokë nga plumbat e shkrepur nga kallashnikovi.
Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë ka reaguar ashpër për këtë rast, duke e cilësuar atë si të qellimshëm e me synim të frikësimit të shqiptarëve të veriut.
Bandat kriminale në lagjen Kroi i Vitakut sulmuan me breshëri plumbash disa shtëpi në Qendra 1, me çrast plumbat goditen ballkonet, shtëpitë dhe oborret e vëllezërve Emin, Esat dhe Ekrem Barani, ndësa një plumb e goditi në kokë Ekrem (Halim) Baranin, baba i katër fëmijëve, i cili është detyruar ta kërkojë ndihmën e mjekut, në Spitalin Rajonal në jug të Mitrovicës, thuhet në reagimin e QR të KMDLNJ në Mitrovicë.