Verifikohen diplomat e Universitetit të Mitrovicës së Veriut
Në takimin e Komisionit qeveritar për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se MAShT-i do ti ofrojë mbështetje të plotë Komisionit dhe tashmë ka siguruar zyrën dhe buxhetin e nevojshëm, të cilin e ka dërguar në Qeveri për miratim.
Ministri vlerësoi se ky Komision është shumë i rëndësishëm dhe me punën që do të bëjë, do të mundësojë që edhe qytetarët e diplomuar në Universitetin e Mitrovicës së Veriut të kenë mundësi të aplikojnë për vende pune në tërë territorin e Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Komisionit, Besim Kajtazi theksoi se kjo është një punë e vështirë, por tha se do të jepet maksimumi në punë, në mënyrë që të kalohet çdo sfidë dhe të realizohet me sukses detyra me të cilën janë ngarkuar.
Ky komision është formuar me vendim të Qeverisë së Kosovës, ndërsa është i përbërë nga katër anëtarë (dy anëtarë të emëruar nga kryeministri dhe dy të tjerë nga ministri i Arsimit).
Komisioni do të bëjë lëshimin e certifikatave të vlefshmërisë për qëllim të aplikimit për vende pune dhe për marrjen e licencave dhe provimeve profesionale në institucionet publike.