Funksionalizohet Shërbimi i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare tek Ura e Gjakut
Të gjithë qytetarët, të cilët shërbimet shëndetësore i marrim në këtë QMF, nga sot mund të marrin edhe shërbimet e vaksinimit, të cilat tash e tutje do të ofrohen edhe në qendrën e tyre mjekësore.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, deklaroi që funksionalizimi i Shërbimit të Vaksinimit në QMF Urë e Gjakut, si njëra nga QMF-të më të mëdha të Mitrovicës është pjesë e Planit të Drejtorisë për Shëndetësi dhe QKMF-së, sipas kritereve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që shërbimet e vaksinimit të ofrohen sa më afër qytetarëve dhe kjo do të vazhdojë edhe në QMF-të ë tjera.
Funksionalizmi i këtij shërbimi, do të jetë lehtësim dhe për qytetarët e lagjes Ura e Gjakut, Vaganicës dhe lokaliteteve përreth sepse shërbimin e vaksinimit tash e tutje do të mund ta marrin afër vendbanimit të tyre.
Drejtori Shabani ka falënderuar personelin shëndetësor të QMF-së në Urë të Gjakut dhe Shërbimit të Vaksinimit në QKMF –së për angazhimin dhe kontributin për funksionalizimin e shërbimit të vaksinimit por edhe për punën dhe përkushtimin e tyre në vazhdimësi për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore shëndetësore për qytetarët.