Në Mitrovicë hapet Panairi i Punës për vitin 2023
Hapja e këtij panairi u bë nga drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë, Zhvillimit dhe Turizmit, Elvis Feka, si dhe projekt menaxheri i Giz Kosova, Tobias Seiberlich, të cilët përshëndetën të gjithë të pranishmit.
Pjesëmarrës në hapjen e këtij panairi ishin edhe drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, përfaqësues të Giz Kosova, drejtorë të shkollave, zyrtarë komunalë dhe qytetarë të tjerë.
Panairi promovon 228 pozita të lira pune, praktikë dhe trajnime, duke ofruar mundësi reale punësimi në një ambient të mirë të biznesit, nga 29 kompani dhe organizata dhe po kontribuon në zgjerimin e kompanive vendore dhe rritjen e kapaciteteve të punësimit.
Drejtori Feka u shpreh i lumtur për mundësinë e ofruar nga ky panair, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarje për të promovuar punësimin dhe zhvillimin ekonomik në rajon. Kjo ngjarje është një hap pozitiv drejt rritjes së mundësive për punësim dhe nxitjes së biznesit lokal.