Në Mitrovicë mbahet tryezë diskutimi me temën ”Si mund ta zvogëlojnë të drejtat pronësore rrezikun nga dhuna me bazë gjinore”
Në takim ishin të pranishme shumë gra të zonja, duke përfshirë kryesuesen e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, Maria Berishaj nga USAID, drejtoreshën e DKRS-së, Valdete Idrizi, drejtoresha e DKA-së, Drita Kadriu, drejtoreshën për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, drejtoreshën për Mirëqenie Sociale, Drita Ibrahimi, asambleistet komunale, mësimdhënëse, dhe përfaqësuese nga shoqëria civile dhe gra nga sfera të ndryshme.
Projekti i USAID-it, "Qeverisja e Pronës", është një program pesëvjeçar që synon të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore në Kosovë me qëllim të reduktimit të korrupsionit, rritjes së fuqizimit të grave dhe përmirësimit të të drejtave formale të pronës dhe investimeve në pronën e paluajtshme.
Nga kryesuesja Broja, është bërë e ditur se ende ka sfida në garantimin e të drejtave të trashëgimisë familjare për gratë. Qeverisja lokale është duke punuar vazhdimisht për fuqizimin e grave, dhe një e drejtë mjaftë e rëndësishme është pronësia, e cila fuqizon gratë dhe krijon siguri për to.
Gratë e pranishme kanë diskutuar për sfidat që ballafaqohen aktualisht gratë në Kosovë, duke përçuar mesazhin për të drejta dhe qasje të barabartë në pasuri. Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të kampanjës "16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore".