QKMF në Mitrovicë pranon donacion një aparat për kryerjen e analizave laboratorike nga Kompania “Genius Ks”
Pranimi i këtij aparati si donacioni i dytë brenda pak ditësh për Laboratorin e QKMF-së do të rris kapacitetet e QKMF-së në lëmin e diagnostikës dhe do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë dhe efektivitetit të shërbimeve shëndetësore në Kujdesin Parësor Shëndetësor të Mitrovicës.
Vlera monetare e aparaturës sipas deklaratës së donatorit është 25 000 euro.
Kjo aparaturë mundëson rreth 86 testime për një orë punë dhe funksionon sipas metodologjisë së avancuar me një performancë të lartë.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani deklaroi se kjo aparaturë që është pranuar sot dhe aparatura tjetër laboratorike e pranuar par pak ditësh si dhe aparaturat e tjera të blera me buxhetin e Komunës do të shfrytëzohen për rritjen e kapaciteteve në fushën e diagnostikës laboratorike në Laboratorin e Analizave në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare por edhe në implementimin e planit të punës së Drejtorisë për Shëndetësi për zgjerimin hap pas hapi të shërbimeve të analizave laboratorike edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare të Kujdesit Parësor Shëndetësor të Mitrovicës.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare mbeten të përkushtuara në punën dhe anagazhimet e vazhdueshme për përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve shëndetësore në Kujdesin Parësor Shëndetësor të Komunës së Mitrovicës.