Vendoset gurthemeli i objektit të ri të QMF-së në Iliridë

MitrovicëPostuar: 09:44 / 12.10.2023

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i komunës, Bedri Hamza, nënkryetari Arian Tahiri, drejtuesi i organizatës “Qatar Charity”, Esam Dabab, kryesuesja e kuvendit, Vesa Broja, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, përfaqësues të QKMF-së, drejtorë komunal, asamblistë dhe përfaqësues të lagjes Iliridë.

Në fjalën e tij kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka falënderuar drejtorin ekzekutiv të “Qatar Charity”, Esam Dabab i cili nuk hezitoj në asnjë moment në ndërtimin e këtij objekti të shëndetësisë primare në Komunën e Mitrovicës.

“Ky është investimi i dytë më i madh që ka ndodhur në Mitrovicë në sektorin e shëndetësisë dhe investime të tilla janë planifikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm deri në rregullimin e plotë të infrastrukturës shëndetësore. E them me bindje dhe përgjegjësi të plotë se asnjëherë prej se ekziston shëndetësia primare në Mitrovicë nuk ka pasur kaq shumë investime”, është shprehur kryetari Hamza.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë, Fahri Shabani, ka thënë se kjo është një ditë e rëndësishme për shëndetësinë e Mitrovicës, me theks të veçantë për lagjen Iliridë, ku banorët e kësaj lagjeje meritojnë të kenë shërbime mjekësore të cilësisë së lartë dhe që jenë në përputhje me standardet më të mira profesionale. Qendra e re e Mjekësisë Familjare në Iliridë i bashkohet vargut të projekteve të shumta të realizuara në fushën e shëndetësisë, si një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.